Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se kryetari, Dimal Basha, ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme.

 

Sipas njoftimit, shefi i legjislativit e ka autorizuar administratën e Kuvendit që të njëjtën t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pranuar sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Kryetari Basha ka autorizuar administratën që të njëjtin t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin për media që ka përcjellë Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun nga Kuvendi i Kosovës.

Më herët Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme duke ndaluar çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë deri më 30 shtator 2025. Vendimi erdhi pas kërkesës së dorëzuar nga dhjetë deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe katër nënkryetarë më 26 gusht, por jo edhe nënkryetarin e pestë që i takon komunitetit serb.

Slavko Simiq i propozuari i Listës Serbe në tri radhë të votimit nuk i mori votat e mjaftueshme për ta bartur këtë pozitë. Kryetari i ftoi ata që të propozonin një tjetër emër për ta hedhur në votim, meqë, siç shpjegoi, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese i njëjti nuk mund të ishte pjesë e garës pasi kishte konsumuar tri tentimet.

Lista Serbe nuk propozoi emër tjetër dhe insistonin në kandidaturën Simiqit, e Basha duke u thirrur në Rregulloren e Kuvendit tha se zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb vazhdon përmes shortit.

Por, as përmes kësaj forme të votimit nuk arriti të zgjidhej asnjë prej emrave që tërhiqeshin përmes shortit. Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim gjatë këtij procesi, derisa 61 vota nuk arriti t’i merrte as i vetëpropozuari për nënkryetar, Nenad Rashiq, deputet serb në Kuvend.

I njëjti proces vazhdoi edhe më 30 gusht, por nuk prodhoi një emër nënkryetari, meqë emrat e mbetur dolën nga tri herë në votim, e disa nuk pranonin të bëheshin fare pjesë e garës.

Kështu, kryetari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive duke e thirrur për datën 1 shtator mbledhjen e parë të Kryesisë.

Por, ajo dështoi të mbahej në mungesë kuorumi, meqë në takim nuk morën pjesë PDK e LDK.