Në ceremoninë e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart rolin, guximin dhe përkushtimin e kësaj force që nga themelimi e deri më sot.
“Ne kremtojmë historinë e policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat që ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë,” tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e Policisë së Kosovës si një ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Ajo theksoi se besnikëria e Policisë së Kosovës ndaj Republikës ka qenë e palëkundur në të gjitha rrethanat, krizat dhe kërcënimet me të cilat është përballur vendi ndër vite. “Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besnikërinë tuaj ndaj Republikës”, theksoi Presidentja.
Duke u ndalur në sfidat e sigurisë në veri të vendit, Osmani vlerësoi profesionalizmin dhe guximin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Sidomos gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq duke e garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim,” tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është vetëm një detyrë ligjore, por mbi të gjitha është një akt i thellë atdhetarie. “Çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim, është simbol i rendit, i ligjit dhe i dinjitetit tonë shtetëror,” u shpreh ajo.
Ajo përmendi edhe rolin ndërkombëtar të policëve të Kosovës, duke thënë se ata janë të gatshëm të kontribuojnë në misione të sigurisë globale. “Policët tanë janë të gatshëm që krahas garantimit të sigurisë brenda vendit, të kontribuojnë edhe në misione ndërkombëtare të sigurisë, duke e vendosur kështu Kosovën në hartën e partneritetit global,” deklaroi Osmani.
Në fund, Presidentja ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë. “Për këtë arsye, mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë – në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë,” përfundoi ajo.