Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka dy zgjidhje kushtetuese për situatën e krijuar me mospropozimin e kandidatit për nënkryetar të Kuvendit nga ana e Listës Serbe.

 

Sipas Sallahut, zgjidhja e parë është që Gjykata, në bazë të nenit 67 paragrafi 4 të Kushtetutës, ta vlerësojë si heqje dorë mospropozimin e kandidatit nga ana e Listës Serbe, duke konstatuar kështu se Kuvendi e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit.

“E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Ai tha se një situatë e ngjashme është  përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet.

“E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentës së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë. Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë”, tha ai.