Kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla, deklaroi se “odiseja e bllokadës institucionale ka marrë fund”, duke bërë thirrje për formimin e qeverisë. Ajo kritikoi masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila u kërkua nga Lista Serbe, si dhe qëndrimin e opozitës për refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

“Duhet të vazhdojmë me formimin e qeverisë. Jo rastësisht, më 7 shtator tre vite më parë, jemi mbledhur këtu në Kuvendin themelues të ‘Guxo’-s, duke mos harruar rrugën e gjatë drejt pavarësisë. Tani, jemi këtu për të prezantuar mbi 200 kandidatët tanë për asamble komunale, bartësit e listave dhe kandidatët për kryetarë komunash,” u shpreh Gërvalla.

Ajo shtoi se “Guxo” është një parti e re në moshë, por me eksperiencë dhe guxim, që sipas saj e veçon në skenën politike. Gërvalla theksoi përballjen me, siç e quajti, “një bllokadë të jashtëzakonshme institucionale”, duke bërë apel ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe opozitës që të lejojnë formimin e institucioneve.

Ndërkaq, bashkëkryetari i “Guxo”-s, Faton Peci, e vlerësoi rolin e partisë në ndryshimin politik të vitit 2021 si një moment përcaktues për vendin. Ai nënvizoi rëndësinë e veriut të Kosovës dhe shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Mitrovicës.

“Ju jeni bashkë me mijëra të tjerë përcaktues të fatit të Kosovës se ku do të jetë në vitet e ardhshme. Është ‘Guxo’ bashkë me Alternativën dhe VV që ka ndërruar kahjen e historisë. Siç e dua Mitrovicën dhe Kosovën, kam marrë përgjegjësinë të garoj për të parin e Mitrovicës,” tha Peci, duke shtuar se edhe pse sfidat si ministër i Bujqësisë kanë qenë të mëdha për shkak të korrupsionit, është i bindur se do të përballet me sukses edhe me sfidat në Mitrovicë.