Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një deklarate publike, Haradinaj ka akuzuar Kurtin për mosnjohje të institucionit më të lartë të drejtësisë në vend dhe për tentativë për ta fajësuar këtë institucion për problemet politike.
“Është e dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të rikthehet në këtë post, nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese dhe e sulmon aq egër e aq ulët”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, Kurti nuk flet për shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës nga ana e tij dhe e partisë së tij, por mundohet të manipulojë opinionin publik duke fajësuar gjyqtarët e Kushtetueses. “Kjo ma kujton atë shprehjen popullore, kur ‘hajni bërtet kapeni hajnin'”, shtoi ai.
Haradinaj kujtoi se gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës dhe jo, siç u shpreh ai, “nga formacionet imagjinare” të Albin Kurtit.
Ai e akuzoi Kurtin si përgjegjësin kryesor për bllokimin institucional në vend. “E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit, por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër – Albin Kurti. Kjo sot është e qartë për secilin, përveç në mendjen e Albin Kurtit, ku ende mbretëron mjegulla”, theksoi ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, Haradinaj kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shkojë përtej konstatimeve për shkeljet e Kushtetutës dhe të përcaktojë pasojat ligjore konkrete për individët apo grupet që i bëjnë ato.
“Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi”, përfundoi Haradinaj.