41-vjeçari nga Lushnja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një operacioni të madh të SPAK, që goditi organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës. Prokuroria e Posaçme e akuzon Pepën si pjesë të këtij grupi, i përfshirë në trafikun e sasive shumë të mëdha të kokainës drejt Evropës.

Hetimet e SPAK tregojnë se emri i tij del në dosjen e trafikut të 11 tonëve kokainë të transportuar në vitin 2020, me origjinë nga Paraguaji dhe me destinacion portet europiane. Vetëm në Roterdam u sekuestruan 600 kilogramë nga kjo ngarkesë. Pepa përmendet gjithashtu në dokumentet e prokurorisë për çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e grupit.

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre akuza të rënda: Trafik ndërkombëtar narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrimi i produkteve të veprës penale.

Sipas SPAK, organizata ku bënte pjesë Pepa ka organizuar në total trafikimin e 28 tonëve kokainë drejt Evropës në dy episode të mëdha, ku autoritetet doganore kanë sekuestruar 17 tonë. Bëhet fjalë për njërën nga dosjet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të drogës të hetuara ndonjëherë në Shqipëri.