Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se ai ishte i gatshëm që të ndërmerreshin hapa për të vendosur sanksione ndaj Moskës pas sulmeve të fundit të Rusisë në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump theksoi se ai është ‘i gatshëm’ të vendoste më shumë sanksione kundër Rusisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Trump nuk dha komente të hollësishme dhe nuk iu bënë pyetje sqaruese. Më parë, presidenti amerikan nuk e përjashtoi vendosjen e sanksioneve shtesë kundër Rusisë, si dhe tarifave ndaj partnerëve të saj tregtarë, nëse Moska nuk pranon një zgjidhje paqësore. Menjëherë pas takimit me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht, Trump tha se pas rreth dy javësh do të shihte se cili ishte qëndrimi i Rusisë dhe do të merrte një vendim.
Natën e 7 shtatorit, Rusia nisi një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës duke përdorur qindra dronë. Katër persona u vranë. Një ndërtesë qeveritare në qendër të Kievit u dëmtua gjithashtu. Një numër udhëheqësish perëndimorë e quajtën këtë një tjetër shenjë se Rusia nuk dëshiron paqe. Perfaqesuesi special i presidentit për Ukrainën, Keith Kellogg, dha të njëjtin vlerësim për sulmin rus.
Sekretari i Thesarit i ShBA, Scott Besent i tha NBC News më herët të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të “rrisin më tej presionin mbi Rusinë”, por presin që kjo të ndodhë së bashku me veprime të ngjashme nga partnerët e SHBA-së në Bashkimin Evropian.
Ministri theksoi se vendosja e sanksioneve dhe detyrimeve shtesë dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë ruse mund të çojë në kolapsin e ekonomisë ruse. “Tani jemi në një garë për të parë se sa gjatë mund të rezistojë ushtria ukrainase dhe sa gjatë mund të rezistojë ekonomia ruse”, tha Bessent. “Nëse Shtetet e Bashkuara dhe [Bashkimi Evropian] ndërhyjnë dhe vendosin sanksione dhe detyrime shtesë ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, ekonomia ruse do të shembet plotësisht dhe kjo do ta detyrojë Presidentin Putin të ulet në tryezën e negociatave.”
Administrata amerikane më parë e shpjegoi vonesën në shtrëngimin e sanksioneve kundër Rusisë me faktin se në këtë rast Moska do të tërhiqej nga negociatat dhe lufta do të zvarritej pafundësisht.
Që kur administrata e re erdhi në pushtet, SHBA-të praktikisht nuk kanë vendosur sanksione të reja kundër Rusisë – ndryshe nga vendet e BE-së, Britania e Madhe dhe një numër vendesh të tjera. Në të njëjtën kohë, nuk ka pasur dobësim të regjimit aktual të sanksioneve.