Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka njoftuar se pas pranimit të një informate ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në Komunën e Mitrovicës jug.

Sipas Policisë, gjatë procedurave hetimore janë siguruar prova që lidhen me një kontratë subvencionimi, ku dyshohet se është ndërhyrë në vlerën e saj në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit publik.

Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave që dëmtojnë interesin publik dhe buxhetin e shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.