Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka deklaruar se Shqipëria përket në BE. Në fjalën e tij në konferencën e ambasadorëve në panelin e diskutimit zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, të moderuar nga gazetarja Eni Vasili, Gonzato vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në objektivin e saj për anëtarësim.
Gonzato deklaroi se fakti që prezenca e delegacionit të BE-së ndodhet në Shqipëri, është mesazh i qartë në dëshirën për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane.
“Ne jemi i vetmi klub që ndihmojmë shtetet anëtarë të ardhshme se si të bëhen shtete anëtare. Ne prandaj jemi këtu, prandaj kemi delegacionin e BE, prandaj ofrojmë asistencë teknike, prandaj kemi planin e rritjes. Këto janë mesazhe të qarta se ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë. Shqipëria vërtet do të bëhet shtet anëtar”, deklaroi Gonzato.
Pyetjes nëse ka një datë fikse për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe nëse ky proces do të ndodhë brenda 2029-s apo 2030-ës, ambasadori deklaroi se “Procesi anëtarësimit kërkon që Shqipëria të marrë zgjidhje afatgjatë. Vetëm me këtë mendësi, Shqipëria do ja dalë. Pastaj 2029-2030 nuk e di”.
Ambasadori theksoi nevojë për gjithpërfshirje në këtë proces, jo vetëm të politikës, por edhe të shoqërisë civile e institucioneve në vend.
“Nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria përket në BE, se Evropës natyrisht që po. Zbatimi varet nga aktorë të tjerë. Në bisedat me komunitetet e biznesit dhe shoqërinë civile unë e ndjej që ata nuk janë të ndërgjegjësuar sa duhet për atë që po ndodh. Në bisedat me qeverinë kam ritheksuar nevojën për gjithëpërfshirës.
Shpejtësia dhe gjithpërfshirja nuk ecin paralel. Duhet gjetur ekuilibri i duhur me këtyre dy aspekteve. Duhet të bëjmë të pamundurën që reformat të jenë pjesë e shndërrimit, transformimit të shoqërisë.
Lufta ndaj korrupsionit: duhet ndryshuar mendësia e qytetarëve. Ata duhet të kuptojnë se shërbimet duhet t’u jepen nga qeveria, dhe jo të paguajnë për to. Ky është roli i shtetit. Prandaj nismat e qeverisë për qeverisje elektronike janë të rëndësishme për të ndryshuar mendësinë e qytetarëve”, deklaroi më tej ai.
Punimet e konferencës diplomatike “Diplo 2025” kanë nisur këtë të hënë (8 shtator dhe do të zgjasin për 3 ditë. Në Tiranë janë mbledhur ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, ndërsa diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.