Dogana e Kosovës ka sekuestruar 20,000 € të padeklaruara të një shtetasi serb në pikën kufitare në Jarinjë.
“Zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar Jarinjë, gjatë një kontrolli rutinë të automjeteve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës, kanë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej afro 20,000 euro”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se sipas legjislacionit, çdo shumë monetare mbi 10,000 euro që hyn ose del nga territori i vendit duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore.
“Mosdeklarimi i këtyre mjeteve përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative dhe ndëshkuese, si dhe hetimeve të mëtejshme. Ky rast është dëshmi e përkushtimit të Doganës së Kosovës për të parandaluar kontrabandën financiare, pastrimin e parave dhe të gjitha aktivitetet e paligjshme që cenojnë sigurinë ekonomike dhe financiare të vendit. Veprimet e tilla ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe mbrojtjen e tregut të brendshëm”, vazhdon njoftimi.