Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i pijshëm nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për shkak të pranisë së lartë të manganit, duke apeluar që qytetarët të mos e konsumojnë atë deri në një njoftim të ri.
IKSH ka bërë të ditur se analizat laboratorike të ditëve të fundit kanë treguar vlera të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar në ujin e pijshëm nga Liqeni i Badocit.
“Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për ‘Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu’, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet”, thuhet në njoftim.
Instituti ka apeluar tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, theksohet në reagim.
IKSHPK po ashtu ka kërkuar që qytetarët të përcjellin komunikatat nga KRU “Prishtina” për zonat, emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet.