Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka pritur sot në ambientet e ATK-së Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, në një takim të parë zyrtar ndërmjet dy institucioneve.
Ky takim shënon hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin institucional, me qëllim fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta për luftimin e dukurive negative që dëmtojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Bashkëpunimi mes ATK-së dhe AKI-së pritet të tejkalojë objektivin e ngushtë të parandalimit të evazionit fiskal, duke u shtrirë edhe në adresimin e fenomeneve të tjera që rrezikojnë integritetin ekonomik dhe shoqëror të vendit, njofton zyra për informim e ATK-së.
Bëhet e ditur se të dy drejtuesit nënvizuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e interesit publik. U theksua gjithashtu se ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit qytetar dhe në ndërtimin e një sistemi më të drejtë e më të sigurt për të gjithë.
Administrata Tatimore e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar që përmes partneriteteve të tilla strategjike të avancojë misionin e saj në shërbim të shtetit ligjor dhe të qytetarëve.