Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të protestës që do të mbahet të dielën e 14 shtatorit në Hagë që do të organizohet nga mërgata shqiptare e mbështetur nga OVL e UÇK-së përmes së cilës do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen atje.
“Këtë të diel, më 14 shtator, bashkatdhetarët tanë në mërgatë dhe organizatat e dala nga lufta, protestojnë në Hagë për drejtësi. Qëndroj fuqishëm krah kësaj proteste dhe përpjekjes së drejtë për t’i thënë botës se lufta jonë ka qenë çlirimtare dhe e drejtë”, ka shkruar Haradinaj.
Në mbështetje të protestës një ditë më parë u deklarua edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi që tha se strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova, do të jenë atje.
“Për të ngritur zërin për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht”, shkroi Krasniqi.