Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kandidon për kryetar të Komunës së Mitrovicës, në ‘RTK Prime’ ka shpalosur planin e tij politik dhe ka folur për shumë çështje që ndërlidhen me ministrinë që ka drejtuar ai.
“Faza e parë e veriut të Kosovës ka qenë në mekanizmat e sigurisë, policisë, njësive speciale, luftimi i kontrabandës, parandalimi i dukurive negative dhe ndikimit të Serbisë, derisa faza e dytë është të qenit më zhurmshëm, pro aktiv në krijimin e ideve dhe projekteve zhvillimore që e shndërrojnë Mitrovicën si qytet prej qendrës më të zhvilluar në nivel të veriut të vendit. Në objektivin e tentativës së Qeverisë Kurti III, më është thënë se ti je figura që ne besojmë se e ka besimin qytetar”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë më i votuar si kandidat për deputet sesa Bedri Hamza i cili kandidoi për kryeministër vendi nga PDK. Këtë ai e quajti si test për ndikimin dhe përkrahjen që gëzon në Mitrovicë.
Ai ka thënë se me ndërtimin e urave qeveria nuk është duke bërë politikë. “Ura e radhës do të jetë në mes të Zhabarit dhe Gushavcit, që do të kaloj nga pjesa e Shipolit, ku lidhet nga bypassi. Ajo do të jetë me mundësinë që të jetë unazë që i lidh edhe komunat e tjera përreth veriut për të shndërruar veriun dhe Mitrovicën në një qytet të integruar dhe funksional”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se pjesë e planit të tij, nëse i fiton zgjedhjet, është ndërtimi i ndërmarrjes së trafikut urban.