Sot politika shqiptare na ofroi një tablo groteske që do të hynte lehtësisht në historinë e absurdit politik evropian. Kryeministri Edi Rama prezantoi publikisht atë që quajti ministrja e tenderave, Diellën. Vetë fakti që tenderat, një nga plagët më të mëdha të shtetit shqiptar, trajtohen tashmë si një sektor më vete, flet shumë për nivelin ku kemi mbërritur. Është një pranim i hapur se korrupsioni në prokurimet publike është bërë aq i natyrshëm, saqë kërkon një “ministri të posaçme”, si të ishim përballë një gjendjeje të jashtëzakonshme që nuk mund të menaxhohet nga strukturat ekzistuese. Por ironia nuk mbaron këtu. Rama e paraqet këtë ministër si një lloj “rojtarje” të teknologjisë, e cila do të detektojë shkeljet e tenderimeve dhe do të vendosë para drejtësisë… kompjuterin.
Pra, jo zyrtarin që merr ryshfet, jo pushtetarin që manipulojnë procedurat, por makinerinë që shërben si mjet teknik. Në këtë pikë, satira bëhet më e fortë se realiteti: prangat do të vendosen te prizat, ndërsa Albana Kociu do të luajë rolin e policit që shoqëron në burg “hard disqet”. Nëse kjo logjikë do të merrej seriozisht, atëherë në rast se Shqipëria sulmohet sërish nga hakerët iranianë, tenderat tanë i bie t’i vjedhë drejtpërdrejt Ayatollahu.
Ky episod vjen në një kohë kur pritshmëritë për qeverisjen Rama4 kanë rënë në nivelet më të ulëta të mundshme. Në vend që të ketë një strategji serioze për ndërtimin e institucioneve të forta, për forcimin e kontrollit parlamentar dhe për rritjen e transparencës, vendi udhëhiqet përmes improvizimeve teatrale që më shumë ngjasojnë me një shfaqje humori sesa me një akt qeverisjeje. Qytetarët nuk po shohin reforma reale, por figura të reja të vendosura në një skenografi që ka për synim më shumë propagandën sesa zgjidhjen e problemeve të vërteta.
Në të njëjtën ditë, politika shqiptare prodhoi një tjetër ngjarje që ngre pikëpyetje serioze mbi vetë ekzistencën e shtetit ligjor. Edi Rama shpalli shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht qëndrimeve pro apo kundër Veliajt, ky akt është një shkelje flagrante e ligjit. Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” e përcakton në mënyrë të qartë dhe të ngurtë se kur dhe si mund të shkarkohet një kryetar bashkie. Tre janë rastet e parashikuara: kur dënohet me vendim të formës së prerë nga gjykata; kur këshilli bashkiak, me vendim të tij, i kërkon Këshillit të Ministrave shkarkimin për mungesa të pajustifikuara tre mujore; ose kur Këshilli i Ministrave e shkarkon për shkelje të rënda të detyrës, pas një procedure ligjore. Në asnjë prej këtyre rasteve nuk figuron mundësia që kryeministri, në një mbledhje partie, të shpallë shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Ky është arbitrarizëm i pastër, një akt i cënimit të demokracisë vendore dhe i autonomisë që garanton Kushtetuta dhe ligji.
Pra, nuk kemi të bëjmë me një shkarkim institucional, por me një largim të shpallur nga Maliqi. Në këtë rast, nuk është ligji që ka folur, por vullneti personal i një njeriu që e shfaq pushtetin si një pronë private. Analogjia me Kaligulën është e pashmangshme: ashtu si perandori romak që sundonte sipas tekave, edhe këtu kemi një praktikë ku rregullat ligjore zëvendësohen me humorin e ditës. Kjo nuk është vetëm një shkelje e ligjit shqiptar, por edhe e detyrimeve ndërkombëtare. Shqipëria është pjesë e Këshillit të Evropës dhe e ka ratifikuar Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, e cila ndalon në mënyrë eksplicite ndërhyrjen arbitrare të pushtetit qendror në organet e zgjedhura vendore. Duke shpallur publikisht një vendim të tillë, Rama e vendos vendin përballë një praktike jo-evropiane, autoritare dhe të papajtueshme me standardet demokratike.
Në thelb, e gjithë panorama e ditës dëshmon një krizë të thellë besueshmërie. Nga njëra anë, një qeveri që e trajton korrupsionin si humor dhe e zgjidh me një “ministri tenderash” që shënjestron kompjuterët; nga ana tjetër, një kryeministër që merr përsipër të shkarkojë kryebashkiakë si të ishin vartës partiakë, duke shpërfillur çdo procedurë ligjore. Ky është momenti ku shteti i së drejtës rrëzohet përballë sundimit të Maliqit. Dhe për aq kohë sa Shqipëria do të qeveriset me këtë logjikë, asnjë integrim evropian nuk mund të bëhet real, sepse demokracia dhe sundimi i ligjit nuk maten me propagandë, por me respektimin e normave dhe institucioneve.