Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë vendim si hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën,” thuhet në reagim.
Kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, theksoi se “përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar”.
Ai paralajmëroi se “mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta”.
Rafuna gjithashtu shtoi se “liberalizimi i tregut të energjisë ka sjellë barriera shtesë për bizneset dhe për ekonominë në përgjithësi”.
“Oda Ekonomike e Kosovës apelon për gjetjen sa më të shpejtë të një rruge për rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe thekson nevojën urgjente për konsolidimin e politikave ekonomike, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve të huaj dhe të krijohen kushte të qëndrueshme për zhvillim ekonomik”, përfundon reagimi.