“Këto dy vendkalime janë lëshuar sot në funksion dhe funksionojnë në mënyrë automatike, dmth çdo gjë është e lidhur në sistem. Treni e shkel sensorin atje ku aktivizohen dritat dhe zilja. Pas 15 sekondave fillojnë me ra barrierat dhe mbyllet vendkalimi. Pastaj kur të kalon treni në mënyrë automatike ngritet bariera edhe përfundon cikli i sigurimit të vendkalimit”, tha Xhavit Fejza, inxhinnier i komunikacionit.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Naser Krasniqi, tha se ky projekt pa dyshim që do të ndikojë në rritjen e sigurisë së pjesëmarrësve në trafikun hekurudhor dhe rrugor.

“Po flasim për vendkalimin këtu ku jemi, po ashtu vendkalimi transit që është i njohur këtu për pejanët. Të dy vendkalimet kanë qenë jashtëzakonisht të frekuentuara me një rrezik shumë të lartë të aksidenteve e mendojmë që do të zvogëlohen në një masë të dukshme për qytetarët dhe transportin rrugor”, tha Krasniqi.

“Këto dy laura besoj se do ta ngritin sigurinë brenda qytetit të Pejës meqenëse më herët kemi pasur laura mekanike, ndërsa tani kemi laura digjitale. Qëllimi është që edhe 21 laura tjera të vendosen anembanë Kosovës në mënyrë që siguria në komunikacionin hekurudhor po edhe atë rrugor të rritet dukshëm”, tha Berat Ganiqi, përfaqësues nga ministria.

Në kuadër të këtij projekti, i cili po realizohet nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore, janë paraparë të digjitalizohen edhe 21 laura apo vendkalime tjera në udhëkryqet ku rrezikshmëria është më e lartë.