Në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, lideri i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj tha se qeverisja e AAK-së i jep dritë e shpresë komunave.

“Mos harroni, ju jeni më shumë se parti politike, ju jeni qeverisja e mirë, ju jeni qeverisja e duhur për qytetarët tuaj, për komunat tuaja. Ju i jepni dritë përmes qeverisjes, i jepni shpresë, i jepni jetë komunës suaj, qytetarëve në komunën tuaj.  Ju lutem mos u ndalni asnjëri, secili e secila, për më shumë qeverisje të mirë, për më shumë shpresë, për më shumë jetë, për më shumë dritë, se kurrë më shumë Republika jonë e dashur nuk ka pasur nevojë , i mungon drita”, tha Haradinaj në hapje të fushatës.

Lideri i AAK-së, kërkoi nga të gjithë t’i japin mbështetje numrit 174.

“Pa dallim të partive, për qeverisjen që jep dritë, shpresë e jetë komunave e qytetarëve, të bashkohemi me 12 tetor me numrin 174, e mos të ketë forcë që na ndanë ashtu siç në ditë të vështira nuk ka pasur forcë që na ndanë për fitoren e Kosovës”, shtoi ai.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Bekë Berisha tha se  Aleanca ka dëshmuar në praktikë se është forcë politike që mbështetet në parime të qeverisjes së mirë.

Ai tha se, vizioni i tyre për Prishtinën është që ta bëjnë metropol, por sipas tij, së pari duhet të merren me çështje që thotë se kanë mbetur pezull ndër vite.

“Programin e kemi bazuar në 7 shtylla: arsimi e rinia, shëndetësia, infrastruktura, zhvillimi ekonomik, kultura, sporti, pastërtia e gjelbërimi. Të gjitha këto duke krijuar një vend të jetueshëm, një vend të sigurt. Unë jap garanci për të gjithë prindërit e Prishtinës se do ta kenë aleatin më të fortë në mbrojtjen e sigurisë së fëmijëve të tyre. Delikuenca rinore e fenomenet negative që kërcënojnë rininë dhe shoqërinë tonë do të luftohen pa kompromis”, deklaroi në ditën e parë të fushatës kandidati i AAK-së për Prishtinën, Bekë Berisha.