Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën për zgjedhjet lokale në Mirushë të Malishevës. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se Malisheva ka nevojë për ndryshime dhe zhvillim, duke ofruar mbështetje në transformimin e komunës.
“Malisheva është trevë dhe tokë e njerëzve të ndershëm. Për shumë kohë ky përkushtim është shpërfillur, por tani është koha për ndryshime. Kjo komunë ka nevojë për transformim, e kjo do të vijë përmes qeverisjes qendrore dhe lokale, me Valon Hotin. Qeveria jonë ka investuar në këtë komunë dhe së bashku do të punojmë për zgjidhjen e problemeve me energji elektrike, me ujë të pijshëm, si dhe në fusha të tjera si arsimi dhe perspektiva për të rinjtë e kësaj komune”, ka thënë Kurti.
Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës nga Vetëvendosje, Valon Hoti, paraqiti programin dhe kandidatët që do të përfaqësojnë subjektin në zgjedhjet e 12 tetorit duke u zotuar për së ne mandatit e tij do të zgjidhet problemi me mungesë të energjisë dhe ujit në këtë komunë.
“Jemi bërë bashkë për rrugëtimin drejt ndryshimit të madh që Malisheva e meriton. Ky është momenti ynë. Zotimi ynë është ujë i pijshëm 24 orë në ditë dhe energji e pandërprerë. Po ashtu, brenda gjysmës së mandatit tonë do të zgjidhim problemin e nënstacionit. Do të punojmë edhe për kanalizimet dhe kolektorin për trajtimin e ujërave të zeza”, premtoi Hoti.
Në këtë aktivitet është prezantuar lista e kandidatëve të VV-së për Kuvendin Komunal.
Ndërkohë më herët gjatë ditës Kurti së bashku me kandidatin e këtij subjekti politik për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashin, kanë vizituar disa banorë të lagjes Petrova në Prizren.
Në këtë takim, Kurti tha se me qeverisjes e Vetëvendosjes nuk do të lihen anash asnjë lagje, qoftë në infrastrukturë apo në shërbime publike.
Kurti po ashtu premtoi vazhdimin e projekteve me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike në secilën lagje.