Një numër i madh i bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mërgimtarëve nga diaspora, si dhe qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe nga trojet tjera shqiptare, janë në Hagë për të marrë pjesë në protestën që do të mbahet me fillim nga ora 14:00, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në këtë qytet.
Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dhe zhvillohet në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim dhe po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Sipas organizatorëve, protesta do të jetë paqësore dhe do të karakterizohet me shpalosjen e rreth 100 parullave dhe sloganeve të përgatitura në gjuhën angleze, me qëllim që mesazhi i protestuesve të transmetohet qartë te opinioni ndërkombëtar.
Përmes kësaj proteste, organizatorët synojnë të shprehin solidaritetin e qytetarëve shqiptarë me ish-ushtarët e UÇK-së, duke theksuar bindjen e tyre në drejtësinë e kauzës së luftës çlirimtare.
OVL-UÇK u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në afërsi të Hagës që t’i bashkohen kësaj proteste, duke respektuar parimet demokratike dhe të drejtën për shprehje të lirë.