Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë në Hagë nga diplomati amerikan, James Rubin, në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Krasniqi ka theksuar se dëshmia e Rubin është një akt i së vërtetës, i bazuar në kujtesën e gjallë dhe ndërgjegjen e pastër të një miku të madh të Kosovës nga përtej Atlantikut.
“Trimi i mirë me shokë shumë. Edhe sot, kur bota ka nevojë për të vërtetën dhe historia për qartësi, në Hagë po dëshmon një mik i madh nga SHBA-të. Kjo është dëshmi e qartë për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka theksuar se shqiptarët kudo në botë kërkojnë vetëm drejtësi, ndërsa kujtoi se Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi sfidat dhe padrejtësitë kur ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova ka arritur të kapërcejë çdo sfidë”, ka thënë Krasniqi.