Policia e Kosovës ka njoftuar për një numër të rasteve të ndara që lidhen me armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta, të regjistruara në disa komuna të vendit. Në këto raste janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar armë të ndryshme, fishekë dhe pajisje të tjera.
Në fshatin Bardh i Madhë të Fushë Kosovës, është arrestuar një burrë nën dyshimin se kishte përdorur një armë pa leje. Si provë materiale, policia ka sekuestruar një pistoletë dhe pesë gëzhoja. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në fshatin Repe të Podujevës, një tjetër burrë është arrestuar pasi që gjatë kontrollit policor i është gjetur një pistoletë me gaz dhe 11 fishekë. Rasti është cilësuar si armëmbajtje pa leje dhe i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Po në Podujevë, në rrugën “28 Nëntori”, një tjetër person është arrestuar pasi dyshohet se kishte shtënë me pistoletë me gaz gjatë një ahengu. Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë me gaz, 66 fishekë dhe tri gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Mramor të Prishtinës janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar pasi kishte shtënë me pistoletë me gaz. Pistoleta dhe dy gëzhoja janë sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në mënyrë të rregullt. Në një incident tjetër në të njëjtin fshat, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, ku policia ka sekuestruar 110 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, tre fishekë dhe një pajisje DVR nga kamerat e sigurisë. Rasti është ende nën hetime.
Një tjetër rast i rëndë është raportuar në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku një viktimë ka pësuar lëndime trupore nga një goditje me thikë. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Policia ka sekuestruar mjetin e përdorur në rast si provë materiale.
Ndërkohë në Prizren, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar një tjetër me një sëpatë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në spitalin rajonal, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar disa armë të ftohta (thika), një shufër metalike, një boks metali dhe sëpata e përdorur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rast tjetër i ngjashëm është raportuar në fshatin Blac të Dragashit, ku një burrë është arrestuar pasi kishte shtënë disa herë me pushkë gjuetie. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pushkë gjuetie, tre fishekë, shtatë gëzhoja dhe një rrethore për fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Të gjitha rastet janë iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe/ose “Përdorim i armës”, ndërsa hetimet për secilin rast janë në vazhdim nga autoritetet përkatëse.