Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetet elektorale në komunën e Kamenicës ku ka mbajtur tubim me qytetarët në fshatin Roganë. Kreu i partisë, Albin Kurti kërkoi edhe një mandat qeverisës për kandidatin, Kadri Rahimaj, duke thënë se Kamenica do të bëhet edhe më e fortë.
“4 vitet e fundit kanë qenë vite të zhvillimit e punës. Kadri Rahimaj e ka mirë përdorë postin për qytetarët e Dardanës. E kemi ndërtuar fushën e sportit, shkollën, janë asfaltuar rrugë, është në ndërtim e sipër fusha e atletikes. Këto nuk janë premtime e zotim, është punë që është bërë. Sot kemi projekte që ecin, investime që ecin, kemi një kryetar që nuk pushon”, tha Kurti.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Kamenicës, Kadri Rahimaj, në këtë tubim përmendi punën nga mandati i kaluar, duke premtuar vazhdimësinë e sukseseve.
“Ky është vetëm fillimi, bashkë do të bëjmë edhe shumë punë të tjera. Do të jenë projektet madhore, do të ndërtohet pishina e parë olimpike, do ta ngre sportin në rezultate dhe përfaqësim dinjitoz, Kamenica do të jetë nikoqire e garave ndërkombëtare. Do të realizojmë edhe projekte strategjike. Do të bëjmë lidhjen e Kamenicës me autostradën”, premtoi Rahimaj.
Duke kërkuar votën e qytetarëve të Kamenicës, Rahimaj tha se më 12 tetor do ta vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët në interes të vendit dhe qytetarëve.