Nisma Socialdemokrate ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit në Prizren.
Duke shpalosur programin që ofron Nisma Socialdemokrate, i pari i këtij subjekti, Fatmir Limaj, tha se platforma e tyre përfshin pakot e veçanta për mirëqenien sociale, zhvillimin e arsimit dhe shëndetësisë, përmirësimin e shërbimeve mjekësore dhe rritjen e standardeve të shërbimeve publike.
“Aktualisht, ju, Prizreni sikur Kosova, po vazhdoni të provoni e të testoni vetën. Boll e keni provuar vetën Prizren, e keni provuar edhe me ata, po e keni provuar edhe me këta, asnjërit hairin s’ju keni parë. Është koha për një kapërcim të madh, është koha për një ndryshim të madh, është koha me ja dhënë besimin atyre që Kosova iu ka hak e që asnjëherë nuk iu ka dhënë besimin sa ata e kanë merituar”, tha Limaj.
Ndërsa, kandidatja për kryetare nga ky subjekt, Albulena Balaj-Halimaj, premtoi se me fitoren e saj, Prizrenin do ta kthejë në qendër të zhvillimit ekonomik e atraksionit kombëtar.
“Me pakon e arsimit, shëndetësisë, turizmit, urbanizmit dhe shërbimeve publike ndërtojmë kushte moderne qytet të rregulluar dhe shërbime të denja për secilin, ta kthejmë Prizrenin në qendër zhvillimi ekonomik e atraksion kombëtar”.
Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për Kuvendin Komunal nga radhët e Nismës Socialdemokrate.