Posta e Kosovës ka nderuar sot dy figura të rëndësishme të historisë shqiptare, Musa Shehzade dhe Metush Krasniqi, përmes lëshimit në qarkullim të emisionit të ri të pullave postare “Personalitete – Musa Shehzade dhe Metush Krasniqi”.
Ky emision filatelik simbolizon lidhjen e dy epokave të ndryshme përmes një qëllimi të përbashkët: lirinë e atdheut.
Në një ceremoni të organizuar nga Filatelia e Postës së Kosovës, u prezantuan dy pullat postare dhe Zarfi i Ditës së Parë (ZDP), të cilat do të jenë në qarkullim deri në konsumimin e plotë të tyre. Përmes këtij veprimi, Posta synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë kombëtare, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të këtyre dy patriotëve shqiptarë.
Musa Shehzade (1870–1945) ishte një figurë kyçe në jetën politike, ushtarake dhe shoqërore të kohës së tij. Ai u emërua prefekti i parë i Prizrenit në vitin 1941 dhe më 16 shtator 1943 u zgjodh kryetar i Kuvendit Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Roli i tij si themelues dhe drejtues i kësaj lidhjeje ishte vendimtar në organizimin e mbrojtjes së të drejtave shqiptare gjatë një periudhe të vështirë historike.
Metush Krasniqi (1928–1986) u dallua për veprimtarinë e tij ilegale dhe përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë viteve ’50 deri në fund të jetës, ai ishte pjesë e organizimeve të fshehta politike dhe burgosur pesë herë për aktivitetin e tij patriotik. Pas vitit 1957, luajti rol të rëndësishëm në mobilizimin e shqiptarëve dhe sidomos të rinisë për të drejtat kombëtare, veçanërisht pas vendosjes së tij në Prishtinë në vitet ’70.
“Ky emision i pullave postare nuk është vetëm një nderim simbolik, por edhe një thirrje për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe vlerësimin e sakrificës për lirinë dhe të drejtat kombëtare”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.
Posta e Kosovës fton koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët të pasurojnë koleksionet e tyre me këto pulla postare me vlerë historike dhe kulturore, të cilat përveç rëndësisë filatelike përbëjnë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kombëtare.