Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Balaj të Ferizajt, ku një burrë ka vrarë kushëririn e tij pas një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme.
Rreth orës 19:42, Policia e Ferizajt ka marrë informacionin për rastin dhe menjëherë njësitet policore, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes, bashkë me Prokurorin e Shtetit. Nga ekzaminimet, në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit u sekuestrua pistoleta me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, policia gjeti dhe konfiskoi edhe një pushkë gjahu me 72 fishekë dhe një pushkë ajrore. Hetimet e para tregojnë se pas një fjalosjeje, i dyshuari ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka shtënë katër herë mbi viktimën, i cili ka ndërruar jetë në vend.
Pas ngjarjes, i dyshuari vetë ka njoftuar policinë për veprën dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor të Ferizajt. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (38 vjeç) është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari B.R. (51 vjeç) është ndaluar për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme hetimore.