Sheshin më të madh në Kosovë, trena motorik e projekte në arsim, bujqësi e fusha tjera ka premtuar Rrahim Tërnava, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i pranishëm në tubimin elektoral në këtë qytet, tha se me Tërnavën banorët do të kenë një komunë më të organizuar e me shërbime më të mira shëndetësore.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk garon për dostin, por garon për qytetarët që i përfaqëson. Për më shumë shkolla e çerdhe, për shërbime më të mira shëndetësore, që e bëjmë me punësim të dinjitetshëm, për një qytet që funksionon dhe ka identitet, për një qytet që ju bënë të gjithëve bashkë, nuk ju ndan e nuk ju përçan”, deklaroi Krasniqi.

Derisa u kërkoi votën qytetarëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Rrahim Tërnava tha se rinia është prioriteti tij bashkë me infrastrukturën dhe ambientin. Ai premtoi realizim projektesh si shkolla e çerdhe të reja për banorët e kësaj komune.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës gjatë kësaj jave ka mbajtur edhe takime direkte me qytetarët me të cilët ka diskutuar rreth projekteve që prekin drejtpërdrejt interesat dhe nevojat e tyre.