Një patrullë policore në Shtime ka sekuestruar një armë zjarri dhe substancë narkotike pas një ndjekjeje që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Rreth orës 01:20, në rrugën “Komandant Kumanova”, policia tentoi të ndalojë një veturë të tipit Golf, ngjyrë e zezë, me targa vendore. Shoferi nuk iu bind sinjalizimit dhe u largua me shpejtësi, duke detyruar policinë ta ndiqte deri në fshatin Mullopoc.
Në një zonë malore, tre persona që dyshohej se ndodheshin në veturë e braktisën atë dhe u larguan në drejtim të panjohur.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me 5 fishekë si dhe një sasi e vogël marihuane. Hetuesit e stacionit policor kanë konfiskuar automjetin, armën dhe substancën narkotike.
Policia ka nisur hetimet dhe është në kërkim të tre personave të dyshuar.