Një tjetër dëshmi nga lufta në Kosovë është paraqitur në një libër. Fotoreporteri danez, Thomas Sjorup, ka promovuar sot në Prishtinë librin e tij “Kosovo at War”, ku përmes fotografive tregon krimet që janë kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve.
Teuta Shala Peli, drejtoreshë, Instutit Ali Hadri, ka thënë se fotografitë e prezantuara në librin që sot po e promovojmë, nuk janë vetëm dokumente të luftës ato janë rrëfime që flasin me forcën e së vërtetës, ato përçojnë dhimbjen e popullit tonë por njëkohësisht edhe qëndresën, shpresën dhe rrugëtimin drejt lirisë.
“Përmes këtij libri Kosova dëshmohet para botës ashtu siç ka qenë, një popull I pafajshëm i cili përballoj dhunën por nuk e humbi kurrë besimin në të ardhmen, ka thënë Hadri.
“Ishte ndër të paktët fotoreporter që arritën të regjistrojnë pamje autentike të realitetit, të luftës nga spastrimi etnik dhe dhuna sistematike e deri te e civilëve të vrarë dhe atyre që mbijetuan, përmes përvojave traumatike. Thomasi ka një përvojë prej tre dekadash si fotoreporter I ka mbuluar zonat e luftërave në Kosovë, Ballkan, Irak, Afganistan, Afrikë dhe në pjesë të ndryshme të botës. Ka një sërë çmimesh dhe publikimesh duke përfshi çmimin danez “Fuji” si dhe një sërë publikimesh tjera”, ka thënë Arbër Hadri.
Ndërsa Arita Gola, nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë se ky botim është më shumë se një dëshmi në një përmbledhje fotografike.
“Është një rrëfim që dokumenton dhimbjen, qëndresën dhe shpresën e popullit të Kosovës në një kohë të vështirë për ne pra, gjatë kohës së luftës. Është një kujtesë e gjallë, një dëshmi e fuqishme për periudhën më të errët të historisë sonë të afërt, ka thënë ajo.
“Kosovo at War” nuk është thjesht një koleksion fotografish, por një dëshmi vizuale e guximit, humbjes dhe qëndresës, tha autori i librit Thomas Sjorup.
“Kur erdha për herë të parë në Kosovë gjatë konfliktit, pashë skena të vështirësive të paimagjinueshme. Por pashë gjithashtu shpresë, dinjitet dhe shpirtin e pathyeshëm të popullit të Kosovës, i cili më hapi dyert e jetës së tij. Këto fotografi synojnë ta nderojnë pikërisht atë shpirt dhe ta ruajnë për brezat që do të vijnë”, ka thënë Sjorup.
Si pjesë e promovimit ishin edhe disa fotografi të ekspozuara në hapësirën e bibliotekës.