Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë u mbajt seanca fillestare ndaj nënkryetarit të Listës Serbe dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, si dhe Urosh Vukashinoviqit për sulmin fizik kundër gazetarëve shqiptarë në protestën e 2023-s në Leposaviq, ku pati edhe shumë të lënduar.
Seanca është shtyrë për datën 9 tetor, për shkak të pretendimeve nga mbrojtja se nuk janë pranuar shkresat e nevojshme nga Prokuroria.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Sllavko Simiq dyshohet se ka nxitur protestuesit që t`i sulmojnë mediat, ndërsa Urosh Vukashinoviq është i dyshuar për pjesëmarrje aktive në dhunë. Të dy të akuzuarit po përballen me akuza të rënda në lidhje me ngjarjet e datës 16 qershor 2023, kur gjatë një proteste në Leposaviq, gazetarët shqiptarë u sulmuan fizikisht dhe me mjete të forta nga turma e protestuesve.
Prokuroria e ngarkon Simiqin me veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale dhe huliganizëm”, ndërsa Vukashinoviqin me “Sulm” dhe të njëjtën vepër penale të turmës. Gjatë incidentit, dy gazetarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga goditjet me grushte, shqelma, tulla, bojë dhe mjete të tjera.
Shtyrja e seancës erdhi pasi avokatët e të akuzuarve pretenduan se shkresat nuk ishin pranuar plotësisht ose fare. Prokurorja e rastit, Ajtene Zoni, tha se kishte tentuar disa herë ta kontaktonte avokatin përmes telefonit për t`ia dorëzuar dokumentet, por ai nuk ishte paraqitur. Ajo theksoi se të gjitha shkresat ishin të gatshme dhe i kishte sjellë në gjykatë si dëshmi.
“Prokuroria disa herë e ka thirr në telefon prokurorin e lëndës Dejan Vasiq, që të vijë e t’i marrë shkresat në prokurori, por që i njëjti nuk ka ardhur t’i marrë të njëjtat, arsyeja pse nuk e dijmë”, tha Ajtene Zoni, prokurore e rastit.
Nga ana tjetër, avokati Dejan Vasiq tha se nuk është kontaktuar asnjëherë nga Prokuroria dhe se dokumentacioni nuk është i plotë.
“Shikoni shkresat e prokurorisë, shikoni edhe shkresat tuaja dhe na tregoni se a janë krejt shkresat e lëndës të cilat duhet t’i pranoj prokuroria. Shikoni, shikoni ato dhe krahasoni me tuajat. Nuk kam asnjë problem me i shiku këto shkresa, vetëm më ju tregu a janë këto shkresa complete”, tha Dejan Vasiq, avokat.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Shqipe Sejdiu vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor në orën 13:30.
“Atëherë seanca shtyhet për datën 9 tetor 2025 në ora 13:30. Të dëmtuarit të cilët nuk kanë qenë të pranishëm do të njoftohen edhe njëherë për datën e seancës”, deklaroi Shqipe Sejdiu, gjyqtare.
Pas seancës u deklaruan edhe dy avokatët e palës së dëmtuar në këtë rast, gazetarëve, dhe shprehën zhgënjimin e tyre për dështimin e seancës së sotme.
“Ky spektakël ka mund të evitohet lehtë me disa përgatitje të aranzhuara më parë nga ana e gjykatës të cilat është dashur që të bëhen në mënyrë që të mos dështojë seanca e sotme”, u shpreh Musa Damati, avokat.
“Shpreh zhgënjimin tim të thellë nga Prokuroria e Shtetit për shkak se të njëjtit, se pas tri vite e dy muaj, nuk kanë qenë në gjendje të kryejnë një detyrim ligjor sipas nenit 239 të Kodit të Procedurës Penale të cilët nuk kanë qenë në gjendje të na pajisin me shkresa as ne si përfaqësues të palës së dëmtuar, mirëpo as palëve tjera. Ne do të inicojmë këtë procedurë disiplinore të prokurorit të çështjes tek kryeprokurori i tij”, deklaroi Gazmend Halilaj, avokat.
Ndërsa Slavko Simiq deklaroi për media se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë lidhje me sulmin ndaj gazetarëve.
“Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident dhe atëherë jam deklaruar publikisht dhe e kam dënuar atë sulm. Dhe natyrisht, edhe sot, para kësaj gjykate themelore këtu në Mitrovicë, publikisht deklarohem dhe e dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarëve dhe ekipeve të gazetarëve”, tha Slavko Simiq, i akuzuar.
Pritet që për seancën e radhës të ftohen edhe gazetarët e tjerë, të cilëve sot nuk iu thirrën emrat.