Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është takuar me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Heleni Vakali, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
Haradinaj bën të ditur se më Vakalin ka biseduar edhe për raportet ndërmjet Kosovës e Greqisë, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të tyre.
“Ambasadores Vakali i shpreha mirënjohje për mbështetjen e dhënë proceseve për Kosovën dhe e ftova që të mbështesë vendin tonë në angazhimet për njohjen e shtetit të Kosovës nga Greqia dhe në proceset e integrimit euro-atlantik. Njohja e Kosovës nga Greqia do të krijonte horizonte të reja zhvillimi, nga e cila do të përfitonin jo vetëm vendet tona, por i gjithë rajoni”, ka shkruar Haradinaj.