Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në orët e mbrëmjes, pati një tubim me banorët e degës së tretë të kësaj partie në Prishtinë. Duke rikujtuar se kjo është dega e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Abdixhiku tha se gjatë mandatit të kryetarit aktual, Përparim Rama, janë realizuar shumë projekte, por siç tha ai, duhet edhe një mandat që të realizohen edhe shumë të tjera në tërësi.
Ndryshimet në Prishtinë, sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë evidente. Prandaj, në takim me banorët e degës së tretë të kësaj partie në kryeqytet, ai kërkoi votën për një mandat të dytë për kryetarin aktual, Përparim Rama.
“Në Prishtinë e kthyem projektin e unazës së brendshme, korridorin që lidh Prishtinën me gjithë ekonomin e Kosovës, në hapësirat publike që Qeverisja e LDK-së dhe Përparimit i dha kryeqytetit frymë të re. U hapën sheshe, u krijuan parqe, u nisën ishuj urban, u gjallëruan aktivitete kulturore. Kryeqyteti mori fytyrë moderne. Ky proces do të vazhdoj sepse qytetarët tanë meritojnë një qytet ku jetohet me dinjitet”, tha Abdixhiku.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, prezantoi projektet e realizuara gjatë mandatit të kaluar, me premtimin për realizim projektesh të tjera, si funksionalizimin e mësimit tërë ditor e zgjidhje për trafikun urban.
“Kemi me fillua me 5 shkolla para një vitit tani kemi vazhdua edhe me 7 shkolla tjera, pra i kemi 12. Në katër vite e ardhshme do të bëhen të gjitha shkollat me mësim tërë-ditor. Po investojmë në kurikulën digjitale i mundëson fëmijët tanë”, tha ai
“Unë nesër, kur te rregulloj krejt sheshin George Bush, i themi hajde po e hapim dhe e shihni që nuk e rregullon trafikun. Çka e rregullon trafikun? Trafikun e rregullon Unaza e Kryeqytetit të cilën e kemi pas gati para 3 viteve. Trafikun e zhbllokon unaza e brendshme që edhe 2 javë do të hapet me siguri jemi duke e shty përpara”, tha Rama.
Në këtë aktivitet, Lidhja Demokratike e Kosovës prezantoi gjithashtu edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Prishtinës.