Në fjalën e saj, Çitaku theksoi se në ditën e 8-të të fushatës, kandidatët për kryetarë komunash dhe ekipet për kuvendet komunale kanë zhvilluar mbi 1 mijë takime në çdo fshat, lagje e qytet të Kosovës, ku oferta politike e PDK-së është pritur me gëzim, entuziazëm dhe besim nga qytetarët.

“Sepse kjo është oferta më e mirë politike në vend, tashmë e dëshmuar si modeli më i suksesshëm i qeverisjes lokale. Vizioni ynë është i qartë: më mirë – një komunë që funksionon, një komunë që shërben, një komunë që jep llogari te qytetari. Ky është dallimi ynë”, tha ajo.

Sekretarja e PDK-së u shpreh e bindur se partia nuk do të fitojë vetëm në komunat ku aktualisht qeveris, por edhe në shumë të tjera, duke dëshmuar epërsinë e kandidatëve të saj në krahasim me kundërkandidatët.

“Ne nuk po kërkojmë besim vetëm për PDK-në si parti, por për qytetarët tanë. Për ta ndërtuar bashkë komuna që nuk janë pronë e individëve, por shtëpi e përbashkët për secilin qytetar”, tha Çitaku.

Ajo falënderoi qytetarët për kulturën e lartë demokratike që po tregojnë gjatë fushatës, për pjesëmarrjen masive në takime dhe për kontributin e tyre me ide e kritika, duke theksuar se këto e bëjnë PDK-në edhe më të fortë.

Një mirënjohje të veçantë, Çitaku ia dedikoi aktivistëve të PDK-së – gra e burra, të rinj e të moshuar – që me përkushtim e energji po e mbajnë gjallë shpirtin e fushatës.

“Kjo është fytyra e vërtetë e Partisë Demokratike të Kosovës: kulturë politike, respekt për qytetarin dhe besim të palëkundur se vetëm përmes punës e bashkimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për komunat tona dhe për Kosovën. PDK do të fitojë. Qytetarët tanë do të fitojnë. Dhe Kosova do të fitojë!”, përfundoi Vlora Çitaku.