Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar programin për zgjedhjet lokale në tubimin e mbajtur në Novosellë të Pejës, nga ku u tha se ky tubim shënon një fillim për ndryshimet e nevojshme në Pejë, e që sipas këtij subjekti politik, do të ndodhin më 12 tetor.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Meml Krasniqi tha se sa herë që ka fushatë, takime apo tubime, brenda strukturave të partisë ka kërkesë që t’i jepet mundësi grave.
“Nëse ka parti që i ka dhënë mundësi gjeneratave të reja ajo është PDK. Në Pejë kemi një kandidate që e bën dallimin me kandidaturat tjera. Arta është kandidatja që ka energjinë, vullnetin për t’i dhënë Pejës atë që meriton. Më mirë për Pejën është me PDK-në dhe kandidaten tonë, Artën”, tha Krasniqi.
Kandidatja e PDK-së për të parën e Pejës, Arta Vokshi Nallabani tha se është nder për të që është kandidate e partisë shtetformuese, e që siç tha, i ka bërë vetëm të mira shtetit.
“Një prej sfidave të para është mungesa e projektit me ujëra të zeza. Novosella nuk duhet të këtë projekte të lëna në gjysmë, prandaj ky projekt në qeverisjen tonë do të përfundojë dhe do ta përmirësojë jetën tuaj”, tha ajo.
Ndërkaq, Xhavit Haliti, kryetar i degës së PDK-së në Pejë teksa uroi që kandidatët e PDK-së të fitojnë dhe të bëjnë një garë fer, pati edhe një mesazh për bashkëpartiakët e tij në garë. “Askush nuk mund t’i marr votat e gjithë Pejës, por një kandidat që kërkon vota për veti e nuk kërkon vota për kandidaten për kryetare të komunës, është në dëm të partisë”, tha ai.
Në tubim u premtuan investime në qendrën e bashkësisë territoriale, në infrastrukturë rrugore, në bujqësi, në blegtori, etj.
Lista e PDK-së në Pejë për zgiedhjet e 12 tetorit përbëhet nga 36 kandidatë.