Nën sloganin “Krejt me dalë” për herë të parë, partitë shqiptare Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate garojnë të bashkuara në zgjedhjet e 12 tetorit. Të bashkuar në Aleancën Shqiptare për Graçanicën, me kandidatin për kryetar të komunës, Leutrim Ajeti, thanë se ky është një hap historik për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e komunës së Graçanicës.

“Jemi bërë një për të shkruar historinë sepse veç kështu të bashkuar mund të arrijmë qëllimin që e kemi amanet prej të parëve tanë. Me ju bashkë kemi besim që kjo komunë dhe qytetarëve do t’u japim atë që e meritojnë. Në mandatin tonë jemi zotuar që do ta transformojmë komunën e Graçanicës. Do të jemi krah çdo qytetari. Në mandatin tonë qytetari do të jetë prioritet. Do të ketë investim të barabartë. Graçanicën do ta zhvillojmë në çdo sferë ku përfitues do të jetë qytetari” tha Leutrim Ajeti.

Ai u zotua se do të përmbushë të gjitha premtimet.

Zëvendëskryesuesi i Komunës së Graçanicës, Granit Gashi, tha se para disa viteve takimet i mbanin më lokale të vogla, ndërsa sonte janë bashkë për të treguar se shqiptarët në Komunën e Graçanicës nuk kanë dallime.

“Ato do të jenë edhe kanceri i Listës serbe. Leutrimi është i vetmi që kur e ka thirrur ndonjë qytetar ia ka hapur telefonin për ndihmë pa hezitim. Andaj ju ftoj që më 12 tetor të dilni të votoni”, deklaroi mes tjerash Gashi.

Edhe Bekim Sejdiu nga Aleanca Shqiptare për Graçanicën kërkoi votën për kandidatin e tyre, Leutrim Ajeti.

Në tubim me qytetarët, Aleanca Shqiptare për Graçanicën prezantoi edhe një pjesë të kandidatëve për asamblenë komunale.