LDK ka hapur fushatën në Malishevë, ku kryetari Lumir Abdixhiku dhe kandidati për kryetar, Fatmir Ademaj, premtuan ujë të pijshëm, furnizim të qëndrueshëm me energji dhe investime në bujqësi, arsim dhe shëndetësi.
“Malisheva nuk është një qytet i zakonshëm – ajo është zemra punëtore e Kosovës. Në këtë qytet të punës, të bujqësisë dhe të mundit, Lidhja Demokratike e Kosovës premton të jetë gjithmonë pranë qytetarëve”. Kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë tubimit në Malishevë.
“Ne do ta sjellim këtë më shumë në bujqësi. Fermerët e Malishevës nuk do të jenë më të harruar. Ata do të kenë mbështetje të drejtë, të barabartë e të ndershme. Do të kenë përkrahje të vazhdueshme, me përgjegjësi dhe vizion. Ne do të sjellim zhvillim edhe në infrastrukturë. Ky qytet nuk mund të mbetet pa rrugë moderne, pa shërbime publike të rregullta, pa kushte të denja për qytetarët. Sepse qytetarët e Malishevës nuk kërkojnë lëmoshë – ata kërkojnë vetëm atë që u takon: kushte normale, jetesë moderne dhe shërbime që i meritojnë. Dhe kjo do të vijë me LDK-në,” theksoi Abdixhiku.
Kandidati për kryetar të Malishevës nga radhët e LDK-së, Fatmir Ademaj, prezantoi prioritetet e tij për komunën.
“Malisheva ka dy probleme kryesore dhe unë do të angazhohem t’i zgjidh. Mungesa e ujit të pijshëm dhe furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike do të trajtohen me një plan konkret. Po ashtu do të investojmë në arsim dhe shëndetësi,” tha ai.
Ademaj premtoi gjithashtu bursa për studentët, zhvillim ekonomik si dhe heqje të taksave për bizneset.