Derisa ftoi qytetarët që të bashkohen me ekipin e tyre, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në takim me banorët e lagjes “Arbana” në Prizren, premtoi se problemet e tyre dhe të gjithë komunës do të trajtohen me prioritet në programin qeverisës të kësaj partie.
“Sot jam bashkë me deputeten Krasniqi për t’i dhënë mbështetje Albulenës, Vionës, Fadilit dhe gjithë kandidatëve që janë këtu, ekipit të shkëlqyer të Nismës për asamble. Po ashtu, dua t’i ftojë qytetarët e Arbanës dhe të Prizrenit që të bashkohen rreth një ekipi i cili i ka të gjitha, ama të gjitha përgatitjet: emocionale, profesionale dhe kombëtare, për të qenë zëri juaj”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.
Para prizrenasve, kandidatja për kryetare të komunës, Albulena Balaj-Halimaj, nga Nisma Socialdemokrate, paraqiti disa nga prioritetet e saj programore. Ajo foli për pakon sociale, e cila parasheh subvencionim për çiftet e reja që janë pa strehim, si dhe për pakon e arsimit, që përfshin ndërtimin e një çerdheje në këtë lagje, për të cilën tha se është e domosdoshme.
“Tek pakoja e arsimit, çka vlen të theksohet janë çerdhet. Ju e dini që unë ju kam thënë se do ta sjell një çerdhe në Arbanë. Që në vitin 2018, e kam futur në buxhet ndërtimin e një çerdheje në Arbanë, por problemi ka qenë prona. Ju e dini që Arbana nuk ka prona publike që mund të shfrytëzohen për objekte të tilla. E di dhe jam e sigurt që ka pasur mundësi të realizohet ajo çerdhe, por nuk e di pse nuk e kanë bërë”, tha ajo.
Takimi përfundoi me zotimin se programi i Nismës do t’i japë përparësi nevojave të banorëve të lagjes Arbana, prandaj drejtues të kësaj partie shprehën bindjen se ata do të përkrahen me votë nga qytetarët e kësaj zone.