Në komunikatë thuhet se, “me qëllim të informimit të drejtë të publikut dhe njoftimit lidhur me keqinterpretimet dhe keqinformimet e bëra nga një reagim në letër i rrjetit të OJQ-ve, sa i përket çështjes penale të njohur si ‘Albkings’, e njoftojmë opinionin publik se rasti i njohur ‘Albkings’ është ndarë në dy pjesë ku njëra është trajtuar ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit dhe çështja penale tjetër, është zhvilluar ndaj anëtarëve të identifikueshëm të grupit ‘Albkings’, por të cilët nuk kanë pasur kompetenca administrative në grupin e hapur”.

Prokuroria ka theksuar se “çështja penale ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit ‘Albkings’ ka përfunduar me aktgjykim dënues, me burgime efektive për të akuzuarit në Gjykatën e shkallës së parë, ku e dëmtuar ka qenë edhe gazetarja për të cilën është bërë reagimi i rrjetit të OJQ-ve”.

Ndërsa, sa i përket çështjes për të cilën është lëshuar reagimi i rrjetit të OJQ-ve, “të akuzuarit në këtë rast nuk kanë qenë themelues as administrator të grupit por anëtarë të cilët janë identifikuar si persona që kanë komentuar dhe shkëmbyer informata dhe kanë telefonuar të dëmtuarën, për çka edhe është zhvilluar hetimi dhe është intervistuar e dëmtuara, dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë edhe ekzaminimin e telefonave të tyre”.

Në komunikatë bëhet e ditur se “gjatë fazës së hetimit, prokurori i shtetit me kërkesën e të pandehurve dhe obligimet ligjore nga neni 230 të KPPRK-së, ka nisur negociatat për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe për të njëjtat negociata konform këtij neni e ka njoftuar të dëmtuarën për të drejtën që të paraqesë kërkesën pasurore juridike e cila kërkesë ka qenë e inkorporuar në këto marrëveshje”.

Sipas Prokurorisë, “duke pasur parasysh faktin se vepra penale në fjalë është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në 3 vite, si dhe faktin se të pandehurit për herë të parë kanë kryer vepër penale dhe kanë pranuar fajësinë nga faza e parë si dhe duke pasur parasysh edhe praktikën gjyqësore në lidhje me dënimet për vepra të tilla penale, prokurori i shtetit ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e një dënimi të tillë, i cili dënim është aprovuar si i ligjshëm edhe nga Gjykata”.

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se “Prokurori i Shtetit njofton opinionin se nuk është obligim i Prokurorit të Shtetit që të kërkojë miratim të palës së dëmtuar në lidhje me dënimin ndaj të akuzuarve, përveç obligimit për ta trajtuar kërkesën pasurore juridike”.