“Vizioni për Zhvillimin e Kaçanikut” hapi sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kandidati për kryetar të kësaj komune, Heset Malsiu, paraqiti para qytetarëve programin e tij qeverisës. Ujë të pijshëm për çdo familje, decentralizim të ujësjellësit, zgjidhja e problemit të ujërave të zeza dhe ndotjes së kanalit të Nerodimës apo ndërtimi i rrugëve dhe trotuareve, përfshirë përfundimin e rrugës së Runjevës dhe lidhjen me rrugët hyrëse në Kaçanik, ishin vetëm disa nga premtimet e tij.

“Është nder dhe krenari që udhëheq këtë vizion të madh për Kaçanikun. Bashkë me qytetarët, do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për komunën tonë”, tha Malsiu. Me zotimin e tij për ndërtimin e mbikalimit për qarkullim më të sigurt, rehabilitimin e infrastrukturës rrugore por edhe ndërtimin e tri çerdheve të reja, Malsiu deklaroi se pret votën e qytetarëve në zgjedhjet e 12 tetorit.

Ndërkohë, shefi i shtabit zgjedhor, Xhelal Gashi, theksoi se është privilegj që në krye të listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal është pikërisht kandidati për kryetar, Heset Malsiu. Në përmbyllje të këtij tubimi elektoral, u bë edhe prezantimi i 21 kandidatëve për Kuvendin Komunal për të cilët u tha se do të jenë pjesë e ekipit të “Vizioni për Zhvillimin e Kaçanikut”.