Gjyshërit që kujdesën për nipër e mbesa, do të ndihmohen. Ky është një nga premtimet që dha sot në Obiliq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin që bashkë me Halil Thaçin, kandidatin për kryetar të kësaj komune, patën me pensionistët. Gjithashtu edhe mbulimi i shpenzimeve për ilaçe, ishte edhe një zotim tjetër që iu dha shtresës së tretë të shoqërisë.
Pensionistët si shtresa më e ndjeshme e shoqërisë, ishin sot në fokus të Lëvizjes Vetëvendosje. Në kuadër të fushatës elektorale, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, qëndroi në Obiliq. Në qendrën e pensionisteve në këtë qytet, Kurti së bashku me Halil Thaçin, kandidatin për kryetar të kësaj komune nga LVV-ja, premtuan asistencë financiare shtesë nëse ata kujdesen për nipër e mbesa.
“Pensioni me qeverisjen tonë është bërë 120 euro, me reformën që do ta bëjmë do te ecim përpara edhe më shumë. Gjithashtu të gjithë gjyshërit që kujdesen për nipa e mbesa do të marrin 100 euro shtesë. Po ashtu, do ta rrisim numrin e çerdheve dhe do të punojmë për sa më shumë eksport”, tha Kurti.
Ndërkaq kandidati për kryetar të Obiliqit nga radhët e LVV-së, Halil Thaçi tha se qeverisja e tij në këtë komunë do të fokusohet vetëm tek kërkesat e qytetarëve.
“Ne do të jemi nga 12 tetori që t’i shtyjmë përpara të gjitha kërkesat. Dua ta bëjë publike që ne si qeverisje do ta bëjmë mbulimin e shpenzimeve të barnave me komplet koston”, tha ai.
Në këtë takim, Kurti e Thaçi premtuan se pensionistet janë kategoria e shoqërisë e cila në forma të ndryshme do të përkrahet vazhdimisht.