Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 15:20 në fshatin Begrac të Kaçanikut, ku janë përfshirë dy vetura. Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai tha se si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. “Njëri prej të lënduarve, rreth moshës 77-vjeçare, është dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, Prishtinë. Fatkeqësisht, rreth orës 22:00, ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, tha Veseli.
Ai njoftoi se dy personat e tjerë të përfshirë në aksident janë dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
Njësitet e Hetimeve të Aksidenteve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, teksa lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.