“Në aksidentin e rëndë kanë qenë të përfshira tre mjete motorike: një kamion, një kombi dhe një veturë me targa vendore. Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipi emergjent mjekësor si dhe njësiti i zjarrfikësve”, njofton policia.

Policia thekson se fatkeqësisht, si pasojë e aksidentit, dy persona kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaktarët e këtij aksidenti tragjik.