Sipas raportit, 89% të qytetarëve të Kosovës shprehen se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonat ku jetojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në Evropë dhe botë.

Policia e Kosovës thekson se këto rezultate pozitive janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.

“Renditja e Republikës së Kosovës në raportin kredibil të Gallup International, që e rëndit Kosovën të parën jo vetëm në rajon por në Evropë dhe të tretën në botë, padyshim që është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për institucionet e vendit por edhe për qytetarët në përgjithësi. Ky vlerësim është dëshmi se qytetarët tanë ndihen të sigurtë, kanë besim tek institucionet dhe me theks të veçantë tek Policia e Kosovës si përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike në mbarë vendin”, tha Jeta Tela-Shema, këshilltare e Lartë Politike në MPB.

Një tregues tjetër i rëndësishëm është se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm gjatë natës në zonën ku jetojnë, një nga përqindjet më të larta në botë dhe në Evropë. Ky rezultat pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, bashkëpunimin e ngushtë me qytetarët dhe mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë.

“Në këtë renditje besoj që janë disa faktorë që e kanë vënë në një pozitë të tillë. Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm patjetër që është edhe profesionalizmi i vet Policisë së Kosovës dhe përkushtimi i secilit zyrtar që shërben në Policinë e Kosovës në gjithë territorin e vendit për të luftuar grupet kriminale dhe krimin në përgjithësi”, tha Jeta Tela-Shema.

Ky përmirësim i renditjes së Kosovës në raportet ndërkombëtare tregon një progres të rëndësishëm në forcimin e sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit. Ministria e Punëve të brendshme vazhdon të ofrojë mbështetjen e policisë, trajnime të specializuara dhe investimet në pajisje të moderne.

Ndërkohë, bazuar në raportin e Gallup Internacional. Shqipëria ka një rezultat më të ulët në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, me 80 pikë, duke u radhitur e dyta nga fundi në Ballkan, pas Maqedonisë së Veriut me 77 pikë.