Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha se Brukseli po pret formimin e një qeverie të re në Prishtinë në mënyrë që të angazhohet më shumë me Kosovën sa i përket dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

 

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kos përsëriti qëndrimin e bllokut evropian se normalizimi i raporteve është kusht për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Dhe ne po punojmë për këtë, në veçanti edhe me përfaqësuesen tonë të lartë, Kaja Kallas. Ne jemi vazhdimisht të angazhuar me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse jemi ende në pritje të formimit të një qeverie të re. Por, kjo mbetet një nga prioritetet në gjithë procesin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, tha Kos në intervistën dhënë në Sarajevë.

zyrtarja e lartë evropiane, Marta Kos po qëndron në Bosnjë e Hercegovinë, në një vizitë treditore, ku është takuar me përfaqësues të institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, organizatave joqeveritare dhe me të rinj.

Gjatë intervistës për REL-in, Kos foli edhe për situatën në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, pasi paraprakisht tha se nuk ka arsye pse të takohet me Millorad Dodikun, të cilit i është marrë mandati i presidentit të entitetit nga autoritetet zgjedhore të Bosnjës. Megjithatë, ai ende paraqitet si udhëheqës i Republikës Sërpska.

“Na duhet Republika Sërpska në mënyrë që të mund të ecim përpara me të gjithë Bosnje e Hercegovinën. Kjo ka qenë e mundur në të kaluarën dhe besoj se do të jetë e mundur edhe në të ardhmen”, tha Kos, duke shtuar se Republika Sërpska është më shumë sesa politikanët e saj dhe se popullata meriton një të ardhme më të mirë.

Ajo po ashtu tha se anëtarësimi i Bosnjës dhe Hercegovinës në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri, por kjo mbetet në duart e liderëve politikë të vendit.

Kos tha se procesi i zgjerimit nuk mund të ecë përpara pa hapa konkretë nga autoritetet vendore.

“Bashkimi Evropian nuk është një organizatë bamirëse. Këto janë para të taksapaguesve, para të qytetarëve tanë. Duhet të jemi të përgjegjshëm. Kërkohet përkushtim që udhëheqja e Bosnjës dhe Hercegovinës t’i zbatojë ato reforma që do të sjellin përfitime për qytetarët tuaj”, tha Kos.

Komisionarja përsëriti se BE-ja respekton integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke paralajmëruar se vendi duhet të bëhet mjaftueshëm i fortë për të funksionuar pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Vetëm atëherë Bosnja dhe Hercegovina do të mund të bëhet anëtare e BE-së”, tha ajo.