Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në New York, ka theksuar rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetjen e paqes, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, duke përmendur veçanërisht kontributin e presidentit amerikan, Donald Trump në parandalimin e përpjekjeve të Serbisë për përshkallëzim të tensioneve në maj të këtij viti.
Në një intervistë për “Fox News”, Osmani ka kujtuar se mbi 97% e qytetarëve të Kosovës mbajnë qëndrim të fortë pro-amerikan dhe vazhdojnë të ruajnë aleancën e fortë me SHBA-në. Ajo ka nënvizuar se ky raport i ngushtë ka nisur që nga viti 1999, kur ushtarët amerikanë erdhën për të shpëtuar jetët e qytetarëve gjatë periudhës së gjenocidit nga Serbia.
“Sot ekzistojmë si një komb i lirë dhe sovran, sepse Shtetet e Bashkuara nuk qëndruan duarkryq. Ata na mbështetën në momentet më të vështira dhe besuan në të drejtën tonë për liri”, tha Osmani.
Presidentja ka përmendur edhe sfidat e vazhdueshme nga Serbia, duke kujtuar aktet e agresionit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe përpjekjet e fundit për përshkallëzim të tensioneve në maj të këtij viti.
Ajo ka vlerësuar punën e administratës amerikane dhe të aleatëve të NATO-s për parandalimin e tensioneve.
“Ne kemi pasur një numër shpërthimesh të tensioneve në dy vitet e fundit. Në shtator 2023, pati një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Ne arritëm ta parandalonim këtë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s. Megjithatë ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Majin e kaluar padyshim pati një tjetër përpjekje për shpërthim të tensioneve dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar përshkallëzimin e tyre. Presidenti Trump ka qenë gjithmonë një udhëheqës që flet me qartësi, forcë dhe bindje. Pra, ndërsa ai ngjitet në skenën e Kombeve të Bashkuara sot, ne presim një mesazh të fortë paqeje përmes forcës që ka dhënë në pjesën tonë të Evropës sepse ky është mesazhi i vetëm që e kuptojnë autokratët dhe udhëheqësit e çmendur në mbarë botën që duan të vrasin e të shkaktojnë vuajtje”, tha Osmani.
Ajo gjithashtu ka nënvizuar se lidershipi amerikan ka ndihmuar që brezat e rinj të rriten pa frikën e luftës dhe dhunës:
“Ne jemi një vend ku çdo brez para fëmijëve tanë është dashur të kalojë nëpër një luftë. Gjyshërit tanë është dashur të kalojnë nëpër një luftë. Prindërit tanë është dashur të kalojnë nëpër një luftë gjenocidi. Dhe tani fëmijët tanë tani mund të shkojnë në shtrat pa zhurmën e armëve të zjarrit dhe frikën që na është dashur të rritemi ne si fëmijë të luftës. Dhe kjo falë lidershipit amerikan”, tha tutje e para e shtetit.