Policia ka njoftuar se ditë më parë, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime, dy zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Shtime kanë gjetur një shumë parash të humbura në tokë. Bëhej fjalë për katër kartëmonedha nga 100 euro dhe dy kartëmonedha nga 50 euro, me vlerë të përgjithshme prej 500 euro.
Pas gjetjes, policia thekson se zyrtarët kanë vepruar me përgjegjësi të lartë, duke i dërguar menjëherë paratë në stacionin policor dhe duke informuar menaxhmentin.
“Përmes kamerave të sigurisë në zonë, është identifikuar personi që kishte humbur paratë, i cili ishte larguar nga vendngjarja me një automjet me targa të huaja. Pas verifikimit, është konfirmuar se bëhej fjalë për një 32-vjeçar nga komuna e Shtimes, me inicialet L.R., i cili më pas është paraqitur në polici dhe ka marrë shumën e humbur”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur mirënjohje për dy pjesëtarët e policisë në Shtime, duke i cilësuar veprimet e tyre si një shembull i ndershmërisë, humanitetit dhe profesionalizmit në shërbim të qytetarëve.
Policia thekson se ky akt përforcon besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës dhe kontribuon në ndërtimin e mëtejshëm të imazhit të saj si institucion i përgjegjshëm, etik dhe i besueshëm.