Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka reaguar pas deklaratave dhe zhvillimeve të fundit politike që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai ka kërkuar mbështetje të fuqishme politike dhe diplomatike nga faktori ndërkombëtar.
Kamberi, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, iu drejtuan sot disa qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare, duke paralajmëruar përpjekje për sabotim të procesit të afirmimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Reagimi vjen pas deklaratës së ministrit për Pakica në qeverinë serbe, Demo Berisha, i cili e quajti “të tejkaluar” Planin me Shtatë Pika dhe kërkoi hapjen e dialogut për kërkesa të tjera. Gjithashtu, ata kritikuan edhe veprimin e kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili, pa koordinim me spektrin politik shqiptar, dorëzoi te ministri serb një dokument me dhjetë pika – veprim që shihet si përpjekje për të devijuar nga obligimet e Serbisë të pranuara ndërkombëtarisht.
Kamberi dhe Rexhepi i janë drejtuar presidentit dhe kryeministres së Serbisë, duke theksuar se është e papranueshme çdo tentativë për shtyrje apo shmangie të zbatimit të Planit me Shtatë Pika dhe Planit Aksional 2022–2025.
Meqenëse OSBE-ja, BE-ja dhe Ambasada e SHBA-së kanë qenë mbështetëse të këtij procesi, Kamberi ka kërkuar nga këto përfaqësi diplomatike të ndalojnë çdo përpjekje për devijim apo manipulim të tij.
Në të njëjtën kohë, ai ka dërguar një letër informuese edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar angazhim maksimal diplomatik në mbrojtje të procesit të dakorduar ndërkombëtarisht.
“Lugina e Preshevës ka nevojë urgjente për mbështetje të fuqishme politike dhe diplomatike në qarqet ndërkombëtare, në mënyrë që kërkesat e saj legjitime të marrin drejtimin e duhur dhe të gjejnë zbatim real”, tha Kamberi.
Kujtojmë se “Plani me shtatë pika” është një dokument politik e institucional i miratuar nga Qeveria e Serbisë më 4 qershor 2013, në bashkëpunim me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare si OSBE, BE dhe SHBA.
Ky plan u përgatit pas krizës së vitit 2012, kur u shfaqën tensione të forta mes shqiptarëve dhe autoriteteve serbe në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Synimi i tij ishte që të garantoheshin disa të drejta themelore të shqiptarëve në Serbi dhe të ulej niveli i diskriminimit.
Plani përmban 7 pika kryesore, të cilat lidhen me:
Integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore serbe (administratë, polici, gjyqësor);
Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare në komunat me shumicë shqiptare;
Përfaqësimin proporcional në organet shtetërore dhe publike;
Zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës, përmes investimeve dhe projekteve zhvillimore;
Arsimin në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave dhe furnizimin me libra shkollorë;
Zgjidhjen e çështjes së simboleve dhe përkujtimoreve (si p.sh. heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, që shkaktoi krizë);
Dialogun e vazhdueshëm mes Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë, me ndërmjetësim ndërkombëtar.