Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se drejtori i përgjithshëm i institucionit, Ismail Dibrani, së bashku me zëvendësdrejtorin Ridvan Hoti, po marrin pjesë në konferencën vjetore të drejtorëve të burgjeve, të organizuar nga EuroPris, që po mbahet në Krakov të Polonisë.
Në njoftimin e SHKK-së thuhet se kjo konferencë, e cila mbledh çdo vit drejtuesit më të lartë të institucioneve korrektuese nga vendet anëtare të EuroPris-it, “shënon një moment historik për Kosovën, pasi për herë të parë po përfaqësohet si vend i barabartë dhe si anëtari më i ri i kësaj organizate evropiane”.
Po ashtu bëhet e ditur se delegacioni nga Kosova ka zhvilluar një takim të veçantë me presidenten e EuroPris-it, Caron McCaffrey, ku u diskutua për përparimet e bëra në Shërbimin Korrektues, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përkushtimin për të respektuar standardet evropiane në fushën e menaxhimit të burgjeve.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin e institucioneve të saj drejt avancimit të mëtejmë dhe njëkohësisht konfirmon se Shërbimi Korrektues i Kosovës po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe respekt në nivel ndërkombëtar”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas SHKK-së, drejtuesit e saj kanë zhvilluar edhe takime të ndara me homologë nga disa shtete evropiane, ku janë shkëmbyer përvoja mbi sfidat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e institucioneve korrektuese, rehabilitimin e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë. 




