Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Shahini sot zhvilloi një aktivitet ku shpalosi një nga idetë nga program i saj.
Ajo premtoi se nëse zgjidhet kryetare e Prishtinës do të mbjellë 100 mijë pemë të reja në kryeqytet, duke theksuar rëndësinë e tyre për të bërë kryeqytetin më të shëndetshëm.
Sipas saj, metrat katrorë me gjelbërim për kokë banori janë nën mesataren që i duhet një qyteti për tu konsideruar i shëndetshëm.
Përveç mbjelljes, Shahini theksoi edhe rëndësinë e mirëmbajtjes së tyre, duke thënë se puna nuk mbaron vetëm në mbjellje, por duke mundësuar që ato pemë të rriten.
Shahini tha se çdo lagje në Prishtinë do të ketë “mjeshtrin e lagjes” dhe një ekip nga kompania e gjelbërt, që do të mundësojnë restaurimin e lagjeve dhe mirëmbajtjen e pemëve të mbjella.
“Nëse ju kujtohet ne e prezantuam mjeshtrin e lagjes si zgjidhja jonë për rigjenerimin e lagjeve. Mjeshtri i lagjes gjithmonë do të ketë edhe një ekip nga kompania e gjelbër që janë permanent nëpër lagje që do të kujdesen pastaj për pemët e mbjella. Kujdesen për ujitje, nëse ka nevojë për të hedhur pleh, për çfarëdo mirëmbajtje tjetër, që ti japin shans, sidomos vitet e para pas mbledhjes së pemës që pema të mbillet dhe të krijojë stabilitetin e vet dhe të rritet”, tha Besa Shahini, kandidate për kryetare të Prishtinës.
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga radhët e PSD, Besa Shahini shtoi në premtimet e saj se do ta realizon edhe sistemin e ujitjes pikë-pikë në çdo gjelbërim në lagje të Prishtinës.