Gjatë 24 orëve të fundit, në disa raste të ndara të ndodhura në komunat e Prishtinës, Podujevës dhe Rahovecit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete ndaj disa personave të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje.
Në Prishtinë, nështë arrestuar një person i dyshuar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, është arrestuar një tjetër i dyshuar, i cili pas një mosmarrëveshjeje është përfshirë në përleshje fizike me bashkëshorten e tij. Të dy kanë pranuar trajtim mjekësor dhe, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Mëngjesin e së njëjtës dite,një tjetër i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Podujevë, është arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Edhe në këtë rast, prokurori ka urdhëruar masën e mbajtjes ndaj të dyshuarit.
Në Rahovec, është arrestuar një tjetër person pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në adresimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin për të siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve.